Skip links

Main navigation

Rreth nesh
THEMELUAR NË 1994
BOTIME ÇABEJ u themeluan në vitin 1994 si një nga të parat nisma private në lëmin e botimeve në Shqipërinë postkomuniste.
Që me botimin e të parit libër (Eqrem Çabej “Shqiptarët midis Perëndimit dhe Lindjes”) synimi ynë kryesor ka qenë cilësia: e brendisë dhe e formës, pra e teksteve dhe e paraqitjes së librit; gjithashtu dhe kujdesi në përzgjedhjen e autorëve dhe të titujve.
Në këta njëzet e ca vjet BOTIME ÇABEJ kanë sjellë në shqip vepra nga më të larmishmet, nga autorë shqiptarë e të huaj, të letërsisë artistike e studimore.
Katër janë gjerdanët kryesorë në të cilët botohen shumica e librave tanë:

KONSTELACIONE – letërsi artistike e zhanreve të ndryshme, në prozë e në vargje, klasike e moderne: romane, tregime, pjesë teatrale, poezi etj., shqiptare e të përkthyera.

VERBA MUNDI – letërsi eseistike e studimore nga disiplina të ndryshme: histori, sociologji, filozofi etj. nga autorë shqiptarë dhe të huaj.

LLAMPA MAGJIKE – libra për fëmijë drejtuar të gjitha moshave, një pjesë e mirë pajisur me ilustrime. Klasikë të mëdhenj të ditëve tona e të së shkuarës: përralla, romane, tregime etj. nga autorët më të mirë shqiptarë e botërorë, me përkthime të cilësisë së lartë.

EXCIPERE – gjerdani ynë më i ri, me vepra që lidhen kryesisht me gjuhën e posaçërisht me gjuhën shqipe.

Hera-here BOTIME ÇABEJ sjellin edhe tituj jashtë gjerdanëve, si në rastin e bashkëbotimeve (co-editions) apo albumeve të artit figurativ.

Në të gjithë këta gjerdanë librash përfshihen autorë shqiptarë dhe autorë të huaj, klasikë e modernë.

Botimi i veprave që lidhen me kulturën kombëtare mbetet një synim parësor i BOTIMEVE ÇABEJ. Nxjerrja në dritë e librit të parë shqip, “Meshar” i Gjon Buzukut, në dy vëllime, botim kritik punuar nga dijetari Eqrem Çabej, e dëshmon vetiu jo vetëm këtë synim, por edhe cilësinë e nivelin shkencor të këtyre botimeve. Tesktet e botuara nga BOTIME ÇABEJ kanë qenë jo rrallë në listën e rekomandimeve për studentët e degëve të gjuhësisë, letërsisë, filozofisë, sociologjisë etj., duke shërbyer kështu në formimin akademik dhe njerëzor të disa brezave studentorë.

Një tjetër mision kryesor për shtëpinë tonë botuese mbetet promovimi i trashëgimisë kulturore dhe i gjuhës shqipe, me tekste origjinale e me përkthime sa më cilësore nga autorët më të mëdhenj shqiptarë e të letërsisë botërore, që duke i zbavitur t’i shërbejnë dhe formimit gjuhësor të lexuesve.
BOTIMI I LIBRIT ËSHTË MISION PËR NE!