Të pathënat e detajet e zbulimit të jashtëzakonshëm

Libri i sapobotuar nga “Çabej”, “BUTRINTI – Miti i Eneas – Gërmimet të autorit Luigi Maria UGOLINI” tregon për punën e jashtëzakonshme të pak vjetëve që nxori në dritë gjithë mrekullitë që na gëzon sot syri në Butrint. Me një stil të thjeshtë po të admirueshëm, ashtu si dinë të shkruajnë veç specialistët e vërtetë, libri na shpërfaq krejt historinë e mitit të Butrintit dhe historinë e zbulimit arkeologjik.

Luigi Maria Ugolini është padyshim arkeologu më i diskutuar në historinë e arkeologjisë shqiptare. Ende 80 vjet pas vdekjes (më 4 tetor 1936), librat e tij citohen në të gjitha studimet për Butrintin dhe Finiqin, ashtu si vetë pasuria arkeologjike e asaj qendre të lashtë, me monumentet, skulpturat dhe pasurinë tjetër arkeologjike, është në pjesën dërmuese trashëgimi e punës së tij, që zgjati më pak se një dekadë.

Nxënës i arkeologëve të njohur të kohës, si G. Ghiradini, P. Ducati e G. Giglioli, L. M. Ugolini bënte pjesë në elitën e studiuesve të rinj, që përgatiteshin në stazhet pranë Shkollës Italiane të Athinës dhe në një radhë udhëtimesh shkencore në Gjermani, Angli, Danimarkë, Zvicër etj., por edhe në Egjipt, Turqi, Qipro, Kretë etj. Invalid i Luftës I Botërore, ku kishte humbur një veshkë, ishte anëtar i Partisë Fashiste dhe militant i ideve të saj, duke bërë pjesë në rrethin e afërt të prof. Roberto Paribenit, drejtor i Misioneve Arkeologjike Italiane të Levantit pranë Museo Nazionale Romano, njeri i afërt i Musolinit. Ishte pikërisht prof. Paribeni që e kishte përzgjedhur Ugolinin të drejtonte misionin arkeologjik në Shqipëri, të ideuar dy vjet më parë nga një arbëresh i Horës së Arbëreshëvet (Piana degli Albanesi) të Sicilisë, dr. Roselino Petrotta (1894-1969), sekretar i përgjithshëm i Lidhjes Italo-Shqiptare të Palermos. Në atmosferën e konkurrencës dhe xhelozisë politike që kishte ngjallur nënshkrimi, në tetor të vitit 1923, i një marrëveshjeje franko-shqiptare për dhënien me koncesion të kërkimeve arkeologjike në Apolloni, dr. Petrotta i dërgoi flakë për flakë një letër prof. Paribenit në nëntor të po atij viti, ku kërkonte marrjen përsipër prej tij të një misioni arkeologjik në Shqipëri. Propozimi iu kalua Musolinit, që mbante edhe postin e ministrit të Jashtëm. Më 17 janar 1924 Musolini miratoi propozimin për një mision në varësi të Ministrisë së Jashtme, por përjashtoi lidhjen e tij me projektet italo-arbëreshe, gjë që do të thoshte edhe mospranimin e dr. Petrottës në krye të atij misioni. Ishte fati i Ugolinit, të cilin prof. Paribeni e propozoi në atë funksion në një letër drejtuar Ministrisë së Jashtme më 25 mars, si një arkeolog “i laureuar në letra, nxënës i Shkollës Arkeologjike të Romës, i plagosur në luftë, shumë i përgatitur në studimet prehistorike, serioz dhe i vullnetshëm”.

Për të shmangur përplasjen me francezët, që kishin marrë ekskluzivitetin e kërkimeve arkeologjike në pjesën qendrore të Shqipërisë, prof. Paribeni propozoi si territor të kërkimeve italiane Shqipërinë e Jugut. Dy muaj më pas Ugolini u nis për një mision vëzhgimi në Shqipëri, në dy itinerare që do të mbulonin krahinat e Shqipërisë jashtë koncesionit francez, në trevën e Shkodrës në veri dhe të Sarandës në jug. Ishte koha për të zgjedhur një qendër të rëndësishme arkeologjike, që do të ofronte zbulime spektakolare dhe do të nxirrte në pah fuqinë e perandorisë fashiste të projektuar nga Musolini. Rezultat i atij udhëtimi ishte libri i parë i një serie të cilën L. M. Ugolini ia kushtoi arkeologjisë së Shqipërisë. Më tepër se një studim i thatë shkencor, ai libër ishte një ndërthurje e përshtypjeve nga një Shqipëri e cila sapo kishte filluar të jetonte si shtet i pavarur dhe dëshmive tepër tërheqëse të pasurive të saj arkeologjike. Në të dallohet vëzhguesi i hollë i realitetit, por edhe profili i një studiuesi të mirëpërgatitur në nivelin europian.

Më 1926 Ugolini ngriti çadrat e misionit të tij në Finiq, i tërhequr nga madhështia e fortifikimeve të tij dhe nga shkrimet e autorëve antikë, që e cilësonin si qyteti më i pasur i Epirit. Që aty i shkruante mësuesit të tij të dikurshëm, prof. Gigliolit. “…po bëj një sakrificë shumë të madhe, por e realizoj me dëshirë, sepse ndihem bir i një kombi të madh e të udhëhequr me zotësi dhe shkoj të kërkoj afirmimet antike të tij. Mbi tendën time valon trengjyrëshi! Shqiptarët e admirojnë, ia kanë frikën dhe shumë e dëshirojnë!” Në të vërtetë, dy vite punw lodhëse në Finiq ishin zhgënjyese për arkeologun e ri, sepse nuk dhanë asgjë të rëndësishme që mund të hynte në kronikat e shtypit. Edhe libri i tij i dytë mbi veprimtarinë e tij në Shqipëri nuk sillte asnjë argument historik në mbështetje të politikës italiane në atë trevë. Me frikën se mund të humbte mbështetjen e mecenëve të tij të Romës, por edhe me padurimin e zbulimit, Ugolini filloi të mendojë për një qendër tjetër antike. Që nga maja e kodrës ku gërmonte i shfaqej përditë profili i kështjellës së Butrintit në horizontin e liqenit që shtrihej para tij. Në një letër që i dërgonte prof. Gigliolit në nëntor të atij viti ai firmoste “Ugolini, ish-sovran i Finiqit, mbret i ardhshëm i Butrintit”. Sepse Butrinti ofronte dy ase në lojën e arkeologjisë politike, ku kishte hyrë plot entuziazëm Ugolini: mitin e Eneas, si themelues legjendar i Romës, dhe krijimin e kolonisë romake në kohën e Augustit, si legjimim për aspiratat imperialiste të Romës së Re. Kjo e futi në një dualitet që karakterizon gjithë veprimtarinë e tij në Shqipëri, por edhe botimet e tij, ku arkeologu i talentuar e i përgatitur përballet me politikanin diletant.

Ugolini pati shkelur për herë të parë në Butrint gjatë udhëtimit të tij përnjohës të vitit 1924. Siç e përshkruan në librin e tij të parë, ai arriti atje një mbrëmje, duke u ngjitur përpjetë Vivarit me një barkë, dhe i pa rrënojat e qytetit të lashtë vetëm duke e qarkuar që nga buza e ujit dhe nga bregu përballë. “Për më tepër ishte mbrëmje, – shkruan ai, – megjithatë shikoja rrënojat e mureve të kështjellës veneciane dhe turke të veshura në mënyrë poetike me kulpra dhe, pranë bregut, mbetje mermeri dhe varre të veshura me pllaka… Kujtoj të kem parë mure të bukura rrethuese në pjesën e lartë të kodrës, ndërtuar me blloqe të rregullt kuadratikë… Në anën juglindore të mureve ka një portë të hyrjes për në qytet me thellësi rreth 8 metra dhe gjerësi rreth 2 metra… Besoj se nuk do të jetë e vështirë të identifikohen këto rrënoja me qytetin antik Buthrotum…”. Ishte pothuaj një mirazh, që i shfaqej arkeologut 29-vjeçar me forcën e magjisë që pati tërhequr Schliemannin drejt Trojës apo Evansin drejt Knosit.

Libri që i ofrohet këtu lexuesit nën titullin Butrinti. Miti i Eneas. Gërmimet është një ditar i aventurës arkeologjike të Ugolinit në Butrint. Lexuesi do ta ndjekë arkeologun e pasionuar në një radhë zbulimesh befasuese, por edhe në vëzhgimet e një të huaji, të rënë papritmas në një ambient ku natyra e virgjër bashkëjeton në paqe me barinj e peshkatarë të teknologjive mesjetare. “Shokët e mi, – shkruante ai, – nën përshtypjen e leximit të Virgjilit pritnin të shihnin të paktën gërmadhat e pallateve të Helenit. Derra të egër e çakej të shqetësuar në strofkat e tyre iknin të trembur andej-këtej, nepërka të pabesa zvarriteshin nëpër bar… Më vonë, i shtyrë nga kureshtja, erdhi edhe ndonjë bari që kulloste tufën blegëruese atypari”. Më tepër se citim nga ditari i atyre ditëve të para, kjo është një ringjallje e përfytyrimeve të paharruara, kur mundimi dhe mungesa e kushteve minimale të jetesës së një italiani që zhvendosej nga Bolonja në xhunglën e rrezikshme të Butrintit, shpërblehej çdo ditë me zbulime fantastike.

Zbulimi i parë dhe më i lehtë ishte porta e murit rrethues, të cilën e kishte parë që nga liqeni gjatë vizitës së tij të parë. Ugolini e quajti atë “Porta Scea”, duke e identifikuar me portën përmes së cilës, sipas Virgjilit, Enea hyri në Butrintin trojan, ku pati gjetur Helenin, vëllain e Hektorit, të martuar me kunatën e tij, Andromakën. Ky emërtim ishte një sajim i qëllimshëm, sepse Ugolini e dinte mirë që vizita e Eneas, po të mos ishte vetëm legjendë, do duhej të kishte ndodhur rreth vitit 1250 pr. K., ndërsa porta ishte ndërtuar nga kaonët vendës rreth vitit 380 pr. K. Duke ndjekur murin rrethues nga ana e liqenit, Ugolini zbuloi edhe një portë tjetër, në arkitraun e së cilës ishte skalitur figura e një luani që mbyste një dem, punim vendës i një periudhe të hershme. Më tepër mund, por më shumë fat pati me teatrin, ku punoi për pesë vjet rresht, por u shpërblye që në fillim me gjetjen e një sërë skulpturash: “Me gjymtyrë të cunguara, me koka të shkëputura, me shkëlqimin e tyre të bardhë në fund të transhesë së zezë, ato të krijonin përshtypjen e një fushëbeteje të çuditshme pas një përleshjeje të egër”. Ndër to shkëlqente Dea. E quajti ashtu, sepse për një kapriço të lashtësisë koka prej mermeri e perëndisë Apollon ishte vendosur mbi një trup femëror, duke krijuar një hibrid, një perëndeshë të panjohur, që ai mendonte se ishte një hyjneshë vendëse.

Ishte po aq me fat, kur ngjitur me teatrin zbuloi një kompleks të tërë godinash, që kishin qenë ndërtuar duke u nisur nga një tempull i vogël, i ngritur në shek. III pr. K. mbi një burim që rridhte poshtë akropolit. Nga rreth dyzet mbishkrime që i dolën të skalitura në hyrjen e teatrit përcaktoi se tempulli i takonte perëndisë së shëndetit, Asklepit, i cili kishte vazhduar të nderohej edhe kur Butrinti qe kthyer në koloni romake. Ishte periudha kur agoraja e kryeqytetit të dikurshëm të Prasaibëve, pjesë e Bashkësisë Kaone, u kthye në një forum, ku nuk mund të mungonin termet – banjat tipike romake, të cilat Ugolini i zbuloi në ballë të teatrit. Në krahun lindor të teatrit zbuloi dy monumente të kohëve të ndryshme: një stoa të shek. III pr. K., ku strehoheshin pelegrinët e tempullit të Askelepit gjatë festave, dhe një ndërtesë të madhe të tipit peristil, që kishte të njëjtin funksion të hotelit publik edhe në periudhën romake. I mjaftoi pak mund edhe për të çliruar nga vegjetacioni dhe depozitimet mesjetare bazilikën paleokristiane me nimfeun dhe gjimnazin pranë saj, të cilat ishin ruajtur pothuaj deri në nivelin e çative. Atje do ta priste edhe një surprizë tjetër me kolonadat dhe mozaikët e baptisterit, që ruajnë edhe sot vendin e nderit midis monumenteve të periudhës paleokristiane.

Pas pesë vjet gërmimesh Butrinti kishte marrë pamjen e një Pompei të vogël, ku rolin e llavës, për ruajtjen e monumenteve, e kishte luajtur vetëm pylli dhe bimësia subtropikale e një vendi të braktisur e të harruar nga njerëzit. Përgatitja si historian dhe filolog klasik i dha Ugolinit mundësinë që t’i vendoste monumentet në kontekstin e burimeve të shkruara për Butrintin, por edhe të rindërtonte atë pjesë që historianët e lashtë nuk e kishin shkruar.

Ugolini punonte pothuaj gjatë gjithë vitit, duke bërë jetën e murgut, në fillim në një çadër të instaluar në livadhin para mureve të kështjellës veneciane dhe, më pas, në dhomën e sipërme të kullës së kështjellës, restauruar sipas projektit të arkitektit të tij, Dario Roversi Monaco. Për një ekspeditë normale, që zhvillohet vetëm në dy muajt e nxehtë të verës, kjo do të ishte puna e të paktën njëzet vjetëve. Natyrisht, me vështrimin e sotëm ekspeditat e Ugolinit linin shumë për të dëshiruar për sa i përket anës studimore. Ai dhe ndihmësit e tij ishin të interesuar vetëm për monumentet, për skulpturat, mbishkrimet apo objekte të karakterit muzeal. Shtresat kulturore nuk ndiqeshin dhe nuk fiksoheshin, materiali qeramikë e zakonshme hidhej bashkë me dheun dhe gërmimi bëhej me shpejtësinë e hapjes së kanaleve. Ai punonte në stilin e kohës, në modelin e gërmimeve që zhvilloheshin atëkohë në Foro Romano, të cilat synonin të evidentonin romanitas, modelin e qytetërimit romak, që rikthehej në një mision politik të fashizmit musolinian. Por, në një farë konkurrence me ekspeditën franceze të Léon Reyt në Apolloni dhe më i privilegjuar se ai për nga mbështetja financiare e qeverisë së tij, Ugolini punoi edhe për të ardhmen, për krijimin e një parku arkeologjik. Ai restauroi kështjellën veneciane dhe ngriti një muze arkeologjik, ku u ekspozuan një pjesë e skulpturave dhe objekteve të rëndësishme të zbuluara gjatë gërmimeve.

Në pranverë të vitit 1932 Ugolini e la Butrintin për të filluar një mision tjetër arkeologjik në Maltë, që i kushtohej studimit të qytetërimit neolitik dhe origjinës së qytetërimit mesdhetar. Në librin e tij botuar më 1934, Malta. Origjina e qytetërimit europian ai parashtroi përsëri një ide politike të mbështetur nga argumente arkeologjike, se fillimet e qytetërimit europian ishin në Maltë dhe që andej, përmes Italisë, u përhapën në Europën perëndimore.

Kushdo që ndjek veprimtarinë e Ugolinit në ato vite, kupton se vepra e tij nxitonte të realizohej në luftë me kohën e shkurtër që i mbetej për të jetuar. Në më pak se pesë vjet të misionit të tij arkeologjik në Butrint ai kishte zbuluar dhjetë monumente të klasit të parë dhe kishte përgatitur tre vëllime të serisë Albania Antica, që i kushtoheshin Butrintit. Ugolini vdiq më 4 tetor 1936, pa parë të botuar asnjë prej tyre.

Butrinti. Miti i Eneas. Gërmimet është padyshim më interesanti prej tyre për publikun e gjerë, qoftë për stilin e këndshëm të trajtimit, ashtu edhe për paraqitjen panoramike të historisë dhe vlerave arkitektonike e artistike të Butrintit të lashtë. Vëllimi i dytë i serisë, Akropoli i Butrintit, që u botua në kohën e pushtimit fashist të Shqipërisë, është i rënduar me përshkrime të gjata, por edhe me faqe të një propagande të hapur fashiste, të cilat nuk duket se i përkasin domosdoshmërisht pendës së tij. Vëllimi i fundit, që trajton teatrin e Butrintit, u botua vetëm në vitin 2003

Jeta dhe veprimtaria shkencore e Ugolinit u zhvillua në kushtet e një Italie të sunduar nga doktrina dhe praktika fashiste, ku ishte vështirë të dalloje studiuesin e ndershëm e të sinqertë nga Fausti që bën pakt me Mefistofelin. Kështu Ugolini besonte të kishte provuar vërtetësinë e legjendës virgjiliane, pavarësisht se nuk gjeti asnjë gjurmë arkeologjike të trojanëve. Kjo thjesht për faktin se trojanët nuk kishin ardhur kurrë në Butrint, i cili në kohën e luftës së Trojës s’ishte veçse një fshat i harruar peshkatarësh dhe blegtorësh. Edhe cilësia e librave të tij ishte në rënie, nga një trajtim profesional i materialeve të Komanit, apo atyre të Finiqit në dy vëllimet e para të Albania Antica, te përshkrimet e shpejta dhe stili propagandistik që zotëron në dy vëllimet e tjera.

Ambicia e Ugolinit për të konkurruar francezët që gërmonin në Apolloni nuk qe më fatlume. Léon Rey pati po aq fat në zbulimin e monumenteve të ruajtura për mrekulli, si dhe të skulpturave të bukura. Për më tepër ishte më simpatik për shqiptarët, me mungesën e plotë të militantizmit politik, dhe u bë nismëtar i krijimit të Muzeut të Pavarësisë në Vlorë, ku u ekspozuan objektet më të rëndësishme që pati zbuluar në Apolloni. Ndërkohë Ugolini manifestoi hapur qëndrime politike, siç ishte ngritja e flamurit italian mbi kështjellën e Butrintit dhe detyrimi i punëtorëve për të nderuar në mënyrën fashiste, gjë që do ta fuste në konflikt me mbikëqyrësin zyrtar të qeverisë shqiptare, arkeologun e ri Hasan Ceka. Për më tepër Ugolini u nda nga Shqipëria me dyshimin se ishte përpjekur të grabiste kryeveprën e zbuluar në Butrint, kokën e Deas, e cila u gjet nga dogana shqiptare në një arkë që i adresohej Legatës Italiane në Tiranë. Çështja nuk u trajtua kurrë nga ana juridike dhe nuk u bë objekt hetimi. Nuk ka as sot një studim mbi këtë ngjarje që rëndon mbi emrin e Ugolinit, që nga akuzat në dokumentet dhe shtypin e kohës e deri tek një film i realizmit socialist i quajtur Korbat mbi mermer. Nuk dihen as motivet përse mbreti Zog nxitoi që t’ia falte kokën e Deas Musolinit. Sidoqoftë, duke u mbështetur në mungesën e dokumentacionit që duhej të shoqëronte atë akt të tepruar bujarie me vlerat unike kombëtare, qeveria shqiptare kërkoi kthimin e Deas në Shqipëri, që u realizua nga qeveria italiane në kuadrin e normalizimit të marrëdhënieve dypalëshe dhe me rastin e inaugurimit të Muzeut Kombëtar Historik në Tiranë, në tetor të vitit 1981.

Verba volant, opera manent! Ugolini vdiq fare i ri për moshën e një studiuesi, pa pasur mundësi të shfaqte personalitetin e tij edhe pas rënies së fashizmit, të paktën si prof. Paribeni, që iu kthye auditoreve universitare. Pikërisht për këtë mungesë të kalimit në purgatorin e pasluftës, ai mbetet në historinë e arkeologjisë italiane si modeli i arkeologut fashist. Në mënyrë paradoksale Ugolini e ka kaluar atë purgator në Shqipëri, ku brezi i arkeologëve shqiptarë, të cilët punuan në kondita të ngjashme të presionit politik, e kanë kuptuar misionin e Ugolinit në Shqipëri si një pakt mefistotelian, si një shitje të shpirtit, për të gëzuar pasionin e shkencës dhe të zbulimit. Me atë pasion ai i la Shqipërisë njërën nga trashëgimitë më të vlefshme kulturore të saj, siç është Parku Arkeologjik i Butrintit me kështjellën dhe Muzeun e tij. Në mënyrën më emblematike rivlerësimi pozitiv i figurës së Ugolinit është shprehur në një monument që komuna e Ksamilit, ku bën pjesë edhe Butrinti, u pati ngritur tre arkeologëve që i kushtuan jetën e tyre Butrintit. Në një obelisk me tri faqe janë skalitur emrat e Luigi Ugolinit, Hasan Cekës dhe Dhimosten Budinës.