Skip links

Main navigation

LIBRA TË RINJ
Rreth njëqind poezi të tre poetëve të mëdhenj italianë të shekullit XX, Eugenio Montale, Salvatore Quasimodo dhe Giuseppe Ungaretti vijnë në shqip të përzgjedhura dhe shqipëruara nga poeti i njohur shkodran Zef Zorba, njohës e admirues i të treve. Ato mbetën dorëshkrim për disa dekada rresht dhe po shohin dritën e botimit, më në fund, në një libër dygjuhësh, me tekstin shqip e italisht përbri – mënyra ideale për të shijuar poezinë e përkthyer. Poezitë i paraprin një parathënie e shqipëruesit, ku ai vë në dukje rëndësinë e udhës që ata do të çelnin për letërsinë moderne europiane.
A keni kureshtje të dini si vijojnë aventurat plot humor e fantazi të Vili Vonkës e Çarlit të librit "Çarli dhe Fabrika e Çokollatave? Të mësoni për Ashensorin e Madh prej Xhami që vozit në hapësirë më mirë se një anije kozmike, me "astronautët trima" Vili Vonka, Çarli Buket si dhe prindët, gjyshet e gjyshërit e tij? Po për Vermicjet Përbindëshe, qeniet më lebetitëse në krejt universin? Si dhe për recetat e pijeve magjike Vonka-Vite e Vita-Vonk, për vendin e frikshëm Minusland e për udhëtimin para e mbrapa në kohë? Dhe sigurisht të zbaviteni me të rejat nga Vili Vonka e Umpa-Lumpat? Këto të gjitha e plot të tjera mund t'i lexoni te ky romani i mrekullueshëm i Roald Dahlit sjellë në shqip mrekullsht nga Naum Prifti.
Ky libër është një ese semiotike, me nota personale, e cila i kushtohet qendrës së Tiranës të shkruar, të fshirë dhe të rishkruar sa e sa herë nga politika, duke u përqendruar në vitet 1960-1980. Megjithatë, lexuesit të sotëm nuk do t’i shpëtojnë paralelet dhe analogjitë e shumta me çfarë po ndodh sot në Tiranë; pa çka se ky aktualitet i esesë nuk ka natyrë alegorike.
Vepra shkencore e Norbert Jokl në fushën e studimeve mbi gjuhën shqipe ka tematikë më të gjerë se e pararendësve. Ajo rrok historinë e periudhave të kaluara të gjuhës e zbret gjer në shkallën moderne. Edhe në tematikë ajo paraqet diçka tërësore, një sistem në vetvete. Ai ndërmori gjurmime të thelluara në fonetikë, morfologji, leksik, etimologji, histori gjuhësore, dialektologji, si dhe në zhvillimin e shqipes si gjuhë shkrimi dhe si gjuhë letrare. Ndjekës i metodës "fjalët dhe sendet", ai u nis nga rrethanat e brendshme të shqipes, pra nga brenda jashtë e jo nga jashtë brenda. Jokli zgjeroi e thelloi qenësisht njohjen gjuhësore të shqipes me botimet e tij. 
Libra