Në mbrëmjen e ndarjes së çmimeve në Panairin XX të Librit Prishtinë 2018, titulli “Fjalë për fjalë” nga Ardian Vehbiu u nderua me çmimin “Libri më i mirë me ese i vitit”. Libri i cili është një përmbledhje me ese mbi gjuhën, u botua për herë të parë në nëntor të vitit 2017, gjatë Panairit të Librit të Tiranës.

Me rastin e këtij çmimi, autori u shpreh:

“Sapo më lajmëruan nga Prishtina se libri im “Fjalë për fjalë”, i botuar nga Botime Çabej, Tiranë 2017, fitoi Çmimin e Panairit të 20-të të Librit në Prishtinë, në kategorinë kritikë/eseistikë/publicistikë, të dhënë nga Shoqata e Botuesve të Kosovës. Çmimin e tërhoqi botuesja Brikena Çabej.

Lajm i bukur dhe dyfish i gëzuar për mua, ngaqë më jepet çmimi për një libër me ese për gjuhësinë, që është pasioni im më i intelektual dhe ngaqë më jepet çmimi në Kosovë, ku diskursi për gjuhën shqipe ka tingëlluar dhe vazhdon të tingëllojë më i përgjegjshëm, më solemn. Shpresoj që, nga New York-u ku jam, të kthehem së shpejti atje, për t’u takuar me lexuesit dhe për të biseduar shtruar për librin.

Asnjëherë s’do të resht së vëni në dukje se çfarë privilegji ka qenë për mua që të bashkëpunoj me një shtëpi botuese e cila mban emrin e mësuesit tim të parë dhe më të madh për punët e shqipes, Çabejt; privilegj që tek e fundit shprehet tani edhe te ky çmim.”