Për herë të parë në Hemingway Fan Club, libri vjen ndryshe në një Book Fair me botime për të rritur e të vegjël.
Prezanton: Anna Shkreli
Një libër është fjalë dhe fjala është mendim.
Dhuro një mendim për festat!

Të gjithë e mbajmë mend ndikimin e fuqishëm që ka pasur te ne letërsia e shkruar mirë, e madje qysh në moshë fare të re, pasi na ka bërë të ndihemi të kuptuar, dhe pjesë e një bashkësie. Përpos këtij ndikimi ndjesor, i cili pikaset lehtë, librat që kemi lexuar në fëmijëri kanë ushqyer dhe një tjetër anë të qenies sonë, atë të rrafshit mendor.
Fatkeqësisht, shumë fëmijë sot nuk kanë mundësi të mbajnë në duar libra interesantë e informues të cilët t’u përgatisin shtratin mendor për zhvillimin e tyre të mëtejshëm. Statistikisht, fëmijët me të ardhura më të pakta, në moshën 4-vjecare kanë dëgjuar disa miliona fjalë më pak se ata me të ardhura më të larta. Duke dashur të rimarrim një shprehje të njohur të filozofit Wittgenstein, duam t’ju ndërmendim se “kufijët e gjuhës sonë janë edhe kufijtë e botës sonë.”
Pikërisht këtu qëndron misioni i Hemingway Fan Club Albania dhe “Botime Çabej” për këto festa, në mbledhjen e sa më shumë librave për fëmijët e jetimores së Shkodrës dhe mbajtjen e këtij hendeku fjalësh të munguara. T’u japim këtyre fëmijëve mundësinë të zhvillohen në më të mirën e fuqive të veta.

Përpos librave për fëmijë, “Botime Çabej” ofron me ulje dhe libra të zhanreve të ndryshme për lexues të rritur.

Po të mërkurën, ora 19.00, vazhdojmë natën e librit me:
KËTU FLASIM PËR POETIKË: Një rum me shkrimtarët në fundvit
Poeteka sjell prezanton: Mira Meksi, Aida Baro, Anxhela Cikopano, Dom Gjergj Meta, Edmond Tupe, Sokol Cunga, Agim Baci, Eljan Tanini dhe Arian Leka
Por nuk mbaron me kaq dhe këtu.
Vazhojmë me maratonën nga fleta në fletë, nga gota në gotë me muzikën jazz: ora 21.00, klezmer, jazz quartet
– ka prapë… edhe më shumë se kaq.

I bashkohemi nismes së organizatës UN Youth Association of Albania që mblodhi mbi 220 libra për Shtepinë e Fëmijëve të qytetit të Shkodrës, për t’u bërë vijues të ndihmës dhe festës së librit, duke dhuruar sa më shumë libra të lexuar dhe të rinj, duke pasuruar sadopak bibliotekën e këtij Instituti për fëmijë.
Në mos tjetër, le të dhurojmë një udhëtim ndryshe, bërë me dashuri.

Le të ngrohemi me libra, jazz dhe rum, në këto netë të ftohta prej vitit 2016 🙂 Merrni me vete edhe një poezi 🙂