Përkthimi në regjimet totalitare të vendeve a kombeve të vogla ka qenë ndër mjetet e para intelektuale që ka hy në mekanizmin e propagandimit të ideologjisë. Vendet në të cilat u aktualizue një realitet totalitar kishin propagandën asetin ndoshta ma të fuqishëm në amortizimin e impaktit të mbivendosjes së një totalitarizmi modern. Në fillim krejt përkthehen idetë, akomodohen, diskutohen, mbledhin ithtarë – krejt kjo si premisë e ndërtimit të strukturave totalitare.

Madje edhe termat e strukturave totalitare në Shqipni janë përkthye në mënyrë të fjalëpërfjaltë nga strukturat mëmë që kish synime internacionaliste: bie fjala, Sigurimi në Shqipni vitet e para emnin e tij zyrtar Drejtoria e Mbrojtjes Popullore e kishte identik me organin përkatës jugosllav të OZNA-s, dhe e njëjta vlen edhe për riemërtimin i cili ishte standard i gjithë shteteve të Bllokut Lindor.

Në Shqipninë londineze të mbas ’90s asht ba zakon me u livdue letërsia e përkthyeme në kohën e regjimit komunist. Kjo për arsye të ndryshme: mbas alfabetizimit akut të regjimit komunist, common sense-i  i shumëkujt gjeti tek letërsia shëndoshjen apo ilaçin e marrinave propagandistike që iu kishin mësue/injektue qysh në fjalët e para. Skemë kjo e huajtun nga strukturat religjioze, por kokëposhtë, antropocentrik dhe në mënyrë të pashmangshme për kultin e individit “Parti Enver” e kështu gjatë. Letërsia, klasikët në veçanti, janë bartësit e frymës (pneumatoforë, siç e servir Kuteli këtë term madhështor tek Tatë Tanushi) dhe ishte bash kjo frymë që rifreskonte dhe mbante të njomë dëshirën për t’u ushqye për të bukurën, për të bukrën tjetër – sepse e jona ishte ideologjizue rrugës së institucionalizimit dhe si e tillë, tue mos pasë ushqim tjetër përpos vetes, kalbej dhe shterpëzohej në ripërtypje. Përkundrejt shterpëzimit të organizuem, fryma që përmbante letërsia e huej – prej të cilës, për ironi, përktheheshin klasikë me bollëk – ishte për dashamirësit e saj, njëfarë opozite ku shqipja kryente dorëzaninë ma të hijshme. Autorët e kësaj dorëzanie kanë qenë përkthyes, hem të pajtuem nëpër ndërmarrjet botuese në Tiranë, hem të organizuem në atë që unë përfytyroj «reparte përkthimi» si në Burgun e Burrelit. Herë-herë janë gërshetue: Gjon Shllaku pat përkthye Iliadën në burg, e humbi tue dalë dhe e ripërktheu. Jusuf Vrioni përkthente Kadarenë, por si ish  i përndjekur përndjekja vazhdonte dhe nuk i radhitej emni ndër botimet të titujve të Kadaresë në Francë deri në fillim të viteve ’80. Përkthimi pati pasoja psikotropike në atë realitet politik, por përkthyesit mbetën urtarë që i mbanin urtë. Përkthimi i babës nuk e di në ç’kushte u ba, nuk kam qenë ende në Burgun e Burrelit, nuk njoh ndonjë përkthyes tjetër të atij burgu që ka mujtë me m’rrëfye gja mbi qysh e tekun e ndodhive atje – por me sa mbaj mend prej tij dhe tuj dashtë me interpretue disi psehin e përkthimit të Dostojevskit, ishte forma e tij e të bërtitunit përmes shqipërimit (tek dorëshkrimet shkruen “përktheu, pa pretendimin e shqipërimit…”) përmes letërsisë specifike dhe veprave specifike që ma shumë i jehonin për kushtet në të cilat ishte. Ndër kujtimet e mia, tek më ndihmonte me mësimet, më pat shkrue njëherë një dyfletësh për biografinë e Migjenit të cilën e mbante mend përmendsh – me të vetmet data, atë të lemjes dhe të vdekjes. Momenti kur e shkruente m’asht skalitë dhe kaligrafia e imtë, e ndonëse për shpejt, e hijshme – më jep sot përshtypjen e një njeriu që me shkrimin ka pasë një marrëdhanie, pak randësi ka të gjatë apo prodhimtare, por me përjetim, me prani. Jam përpjekë do vjet me kuptue historikun e ngjeshun të gjuhës sonë dhe vitet e para mbasi u vetëdijësova për randësinë e përkthimit, thoja zellshëm që ishte gegnisht. Por me kohën dhe leximet, kam ushqye idenë se gegnishtja tejet e instrumentalizueme, e ndame mënjanë, politikisht e përdorun për kokë turku – ishte një argument i lodhshëm. Përkthimi i Dostojevskit nga im át asht thjesht shqip, dhe nëse duhet me i dhanë koordinata kohore për hir të pedantizmit, atëherë im át i lemë dhe i rritun në një kohë kur pilotimi i gjuhës nga politika nuk ishte total, u ushqye me tekste të standardit gjuhësor të para 1972. Më 1978, një shkodran 36 vjeçar – vanitetin mënjanë – i mbrujtun kulturalisht e për ma tepër: i dënuem dhe i burgosun, shqipen e kishte ndër të paktat frymëmarrje lirie. Për t’iu rikthye kujtimeve, tek më jepte anglisht në shtëpi dhe m’ilustronte përmes përkthimit (etalon i shqipes në fëmini kisha Mjedën) “to be or not to be” ma përkthente natyrshëm “me kenë a mos me kenë”. Të vërtetat ma të mëdha janë të thjeshta, kurse ndërlikimet tona janë si rrjedhojë e mbivendosjeve e akrobacive historike që na asht dashtë me kalue. Uroj që ky libër të ketë vendin e vet dhe të çmohet për dobinë përkatëse në fushën e pamatë të përkthimeve që kanë ba zejtarët e heshtun të shqipes në kohën e diktaturës.